Qeveria ndihmon ata që kanë gjendje të mirë materiale, jo skamnorët që përbëjnë shumicën

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci ka marrë vendim që të subvencionojë pemëtarë me nga 300 euro për çdo hektar dhe vreshtarët me nga 1 mijë euro.


 


Ndarja e ndihmave në mënyrë selektive, duke lënë anash të varfrit, që përfaqësojnë shumicën e fshatarësisë së Kosovës, që kanë pak tokë dhe pak mundësi për të mbijetuar dhe duke stimuluar ata që kanë shumë pasuri, tregon se Qeveria është e interesuar të thellojë hendekun në mes të pasurve të varfërve të Kosovës, dhe nuk ka  qëllim të zbutjes së dallimeve sociale.


 


Hajnat dhe plaçkitësit nëpër fshatra rrjedhin nga familje të lëna në mëshirë të kohës, për të cilët Qeveria nuk ka asnjë plan, përveç lëmoshës 85 euro, madje edhe për një familje tetë apo dhjetë anëtarë.  


 


Nuk ka fshat në Kosovë ku policia nuk ka identifikuar d- tre e deri në pesë e më tepër grupe hajnash. Të gjithë këta hajna e plaçkitës i takojnë shtresave të varfra të fshatarësisë dhe të papunëve të Kosovës.


 


Nuk shërohen plagët shoqërore, papunësia, kriza ekonomike me grante e me ndihma sociale, në kohën kur klasa e kapitalistëve të rinj e politikanëve kapitalistë, të të gjitha prejardhjeve politike e ideologjike, ka arritur që brenda 10 viteve të krijojë një klase elite të pasurve, të nivelit evropian.


 


AKM-ja e më vonë AKP-ja ka qenë dhe mbetet Maja e Ajsbergut të krimit ekonomik të vendit dhe kjo Agjenci ka funksionuar e funksionin me zyrtarët e korruptuar vendorë e ndërkombëtarë. Vendorët edhe mund të akuzohen, madje ndonjëri prej tyre edhe mund të dënohet sa për sy e faqe, por ndërkombëtarët kanë imunitet dhe asnjëri prej tyre për nuk përgjigjet para gjyqeve të Kosovës, madje as të EULEX-it për keqpërdorime, abuzime e krime ekonomike.


 


Qeveria dhe ndërkombëtarët AKP-së i kanë dhënë kompetenca të pakufishme për ta privatizuar dhe  për ta tjetërsuar pronën publike të Kosovës. Zyrtarët e ndërruar shumë shpesh në këtë Agjenci, kanë qëndruar aty derisa kanë grabitur një pre të madhe, pastaj janë larguar, me qëllim për të fshehur gjurmët.  Ngjashëm kanë vepruar të gjithë, pa asnjë përjashtim.


Për krimet jo vetëm ekonomike në AKP,  po të kishte shtet, Qeveri dhe drejtësi  duhet të japin përgjegjësi UNMIK-u, EULEX-i dhe kreu politik e institucional i vendit.


 


Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci ka marrë vendim që të subvencionojë pemëtarë me nga 300 euro për çdo hektar dhe vreshtarët me nga 1 mijë euro. Ai tha, se për planin e vitit 2014 kanë qenë të përfshira pothuajse të gjithë sektorët e bujqësisë, por sipas tij, kanë vazhduar disa hapa më shumë duke iu dalë në ndihmë të drejtpërdrejtë të gjithë fermerëve. Ministri, Blerand Stavileci shtoi më tutje se tanimë kanë përfunduar të gjitha proceduar për dhënien e subvencioneve dhe se pagesa e këstit të parë për pemëtarët dhe vreshtarët do të bëhet në muajin maj.


 


Ky shpërblim  i Qeverisë ndihmon ato familje që kanë kushte të mira për ekzistencë, sepse pemëtarët e tillë  që kanë disa hektarë pemishte, ato i kanë ngritur me ndihmë të  Qeverisë, me shpërblime ( grante) dhe me shumë benificione paraprake. Ata po ashtu e kanë siguruar edhe tregun e shitjes për prodhimet e tyre. Edhe vreshtarët, po thuajse të gjithë që kanë më shumë se një hektar, apo dhjetëra hektarë, më shumë do të fitojnë nga benificionet e Qeverisë se sa u lë fitim rrushi i shitur i një hektari. Shembujt e benificioneve të tilla, selektive, as janë treguar as mund të tregohen të suksesshëm, sepse këto shpërblime i gëzojnë ata që kanë shumë tokë dhe që në vazhdimësi kanë marrë ndihma financiare nga Qeveria. Me këto ndihma ata bëhen parazitë dhe mjaftohen me një punë dosido, meqë ato të holla i marrin edhe nëse nuk punohet fare vreshti, apo pemishtja. Këto shpërblime i gëzon një përqindje e vogël e e vreshtarëve dhe pemëtarëve, por jo shumica,  e cila mundohet të mbijetojë me  nga një e dy hektarë tokë pune të klasit të tretë e të katërt.


Po ashtu duhet pasur para sysh se këto subvencione, me sa kemi ne informata ndahen nga buxheti i Kosovës, taksapaguesit, edhe nga ata të varfrit që nuk kanë dy e tre hektarë tokë. Edhe nëse këto shpërblime janë donacione nga ndërkombëtaret, po kështu edhe me rastin e ndarjes së tyre të varfrit, anashkalohen. Edhe ata që kanë pak tokë  paguajnë  tatimin në pronë dhe të gjitha taksat me të cilat i ngarkon Qeveria, po ashtu paguajnë mjekun, shkollimin, barnat për të sëmurët që janë me shumicë në familjet skamnore. Kështu që një pjesë  e madhe e parasë së tyre publike, e cila derdhet në buxhetin e vendit u ndahet atyre që kanë më shumë. Kjo është “drejtësia shoqërore” që ndanë Qeveria e Kosovës, e cila edhe krenohet se po stimulon bujqit, pemëtarët, vreshtarët, dhiarët, loparët e përgjithësisht bujqësinë, por vetëm kategorinë e atyre bujqve që kanë një nivel të siguruar të ekzistencës, ata të tjerët le të gjenden si mundin dhe si dinë.


 


Ndarja e ndihmave në mënyrë selektive, duke lënë anash të varfrit, që përfaqësojnë shumicën e fshatarësisë së Kosovës, që kanë pak tokë dhe pak mundësi për të mbijetuar dhe duke stimuluar ata që kanë shumë pasuri, tregon se Qeveria është e interesuar të thellojë hendekun në mes të pasurve të varfërve të Kosovës, dhe nuk ka  qëllim të zbutjes së dallimeve sociale.


Qeveria ndan shpërblime (grante) edhe për familjarë që merren me bagëti, madje duke stimuluar edhe shumëzimin e  dhive, të cilat shkatërrojë pyjet shoqërore dhe dëmi nga to është shumëfish më i madh sesa dobia, që fiton një familje nga posedimi i njëqind dhive që mund të shkatërrojnë disa dhjetëra hektarë pyje  e ferishte. Në raste të tilla grante përfitojnë vetëm  ato familje që kanë ndonjë zyrtar në komunë, ndonjë polic, ndonjë zyrtar nëpër ministri, por kurrë dhe asnjëherë nuk ka marrë as merr grante fshatari i thjeshtë, që nuk e ka as kë në punë dhe që detyrohet të mbijetojë me ndihma sociale dhe me lëmoshë. Për këtë kategori të njerëzve tanë, që përfaqësojnë shumicën, që përfaqësojnë 400 mijë të papunët, që janë të aftë për punë, të  20 përqindëshin e popullatës që jeton  me një euro në ditë, Qeveria, po as partitë politike nuk kanë plane e programe.


 


Hajnat dhe plaçkitësit nëpër fshatra rrjedhin nga familje të lëna në mëshirë të kohës


 


Hajnat dhe plaçkitësit nëpër fshatra rrjedhin nga familje të lëna në mëshirë të kohës, për të cilët Qeveria nuk ka asnjë plan, përveç lëmoshës 85 euro, madje edhe për një familje tetë apo dhjetë anëtarë.  Interesimi i Qeverisë për të mos i lënë të vdesin urie këta fshatarë e punëtorë pa punë për ta është 85 euro vetëm ndihma minimale. Kjo dukuri e shfrytëzimit të djersës dhe punës së skamnorëve dhe thellimit të pabarazisë sociale, anëtarët e rritur të këtyre familjeve i ka kthyer në plaçkitës, në rrëmbyes dhe hajna, në trafikantë të të gjitha ngjyrave. Nuk ka fshat në Kosovë ku policia nuk ka identifikuar dy tre e deri në pesë e më tepër grupe hajnash. Të gjithë këta hajna e plaçkitës i takojnë shtresave të varfra të fshatarësisë dhe të papunëve të Kosovës. Ata, tashmë janë edhe të organizuar dhe shkëmbejnë përvojat mes veti. Me qëllim për të  mos rënë në sy të bashkëfshatarëve dhe policisë, ata nuk plaçkitin në fshatin e tyre por në fshatrat më larg, përmes lidhjeve që mbajnë grupet e hajnave me njëri tjetrin. Ata ndihmohen edhe përmes telefonave mobilë, meqë gjatë kryerjes së një aksioni plaçkitës, një apo dy prej tyre vëzhgojnë terrenin dhe në rast të ndonjë dyshimi, apo pranisë së papritur të ndonjë personi ata  lajmërojnë plaçkitësin në largohet në drejtim të sigurt.  Hajnat, duke qenë inteligjentë për nga natyra, në raste të tilla edhe nëse shërbehen me telefona satelitorë, atë e bëjnë përmes kodeve, për të mos lënë gjurmë penale në tablatet e telefonave të tyre. Natyrisht se Policia i ndjek hajnat e plaçkitësit dhe nuk ka ditë, që nuk arrestohen dhjetëra të tillë, por shumica syresh lirohen ose në mungesë të fakteve, ose kur hajnia e plaçka bëhen  për herë të parë, ose kur ndonjëri syresh ka ndonjë të njohur  në Polici apo në institucione. Lirohen po ashtu edhe hajnat me moshë të mitur. Me rritjen enorme të  këtyre plagëve shoqërore të hajnisë, plaçkitjes, trafiqeve, vrasjeve si rezultat i plaçkitjes, rrëmbimit si rezultat i përfitimit, zhvatjes së firmave, rrjetit të organizuar të prostitucionit, trafikimit me qenie të gjalla, trafikimit në shtetet perëndimore, Kosova po zhytet drejt krizës dhe kaosit të rëndë social, të cilin politika e interesuar për pushtet pa shtet po degradon drejt kaosit dhe ambisit.


 


AKP-ja Maja e Ajsbergut e krimit ekomomik të Kosovës


 


Nuk shërohen plagët shoqërore, papunësia, kriza ekonomike me grante e me ndihma sociale, në kohën kur klasa e kapitalistëve të rinj e politikanëve kapitalistë, të të gjitha prejardhjeve politike e ideologjike, ka arritur që brenda 10 viteve të krijojë një klase elite të pasurve. Ata, kanë shfrytëzuar pushtetin, postet në qeveri e në institucione për t u pasuruar dhe  90 për qind prej tyre janë pasuruar  në mënyrë të paligjshme. Vetëm për privatizimin e një fabrike  si ajo FAN e Besianës janë arrestuar 17 politikanë dhe zyrtarë të lartë, madje edhe deputetë, edhe pse asnjëri prej tyre nuk do të dënohet, sepse i mbron gjyqësia e korruptuar, i mbron politike e korruptuar, i mbron shteti i kapur nga krimi. Në Kosovë pas luftës, qysh kur UNMIK-u dhe Qeveria  kanë arritur ujdi për privatizimin e pasurisë shoqërore dhe publike, ka filluar gara marramendëse e përvetësimit, plaçkitjes, uzurpimit  të kësaj pasurie. AKM-ja e më vonë AKP-ja ka qenë dhe mbetet Maja e Ajsbergut të krimit ekonomik të vendit dhe kjo Agjenci ka funksionuar e funksionin me zyrtarët e korruptuar vendorë e ndërkombëtarë. Vendorët edhe mund të akuzohen, madje ndonjëri prej tyre edhe mund të dënohet sa për sy e faqe, por ndërkombëtarët kanë imunitet dhe asnjëri prej tyre nuk përgjigjet para gjyqeve të Kosovës. Se çka përfaqëson AKP-ja dhe me çfarë niveli të krimeve ekonomike ngarkohet, kjo nuk është çështje vetëm e atyre që kanë punuar dhe punojnë në këtë Agjenci krimi të organizuar, por është tërë spektri politik e shoqëror i vendit, i cili ka zhvatur dhe po zhvat nga privatizimi.


 


Duke manipuluar si gjithnjë kreun e AKP-së madje u bënë edhe përpjekje për Privatizimin e PTK-së dhe  Kombinatit Trepça. AKP-ja në duke një institucion i përberë nga një duzinë zyrtarësh të panjohur u kthye në Majën e krimit të organizuar ekonomik dhe pikërisht në këtë APK shpërtheu edhe krimi më i shëmtuar kur një drejtor ia dha vetes 13 plagë me thikë, pasi paraprakisht kishte shkruar një letër. Për krimet në AKP duhet të japin përgjegjësi UNMIK-u, EULEX-i dhe kreu politik e institucional i vendit.


 


Qeveria dhe ndërkombëtarët AKP-së i kanë dhënë kompetenca të pakufishme për ta privatizuar apo për ta tjetërsuar pronën publike të Kosovës. Zyrtarët e ndërruar shumë shpesh në këtë Agjenci, kanë qëndruar aty derisa kanë grabitur një pre të madhe, pastaj janë larguar, me qëllim për të fshehur gjurmët.  Ngjashëm kanë vepruar të gjithë, pa asnjë përjashtim. Nuk ka zyrtar që ka punuar dhe punon në AKP, mbase përveç ndonjë individi nga stafit teknik administrativ, që nuk ka abuzuar në një mënyrë ose tjetër. AKP-ja nuk i jep askujt llogari. Nuk pranon dhe nuk merr në shqyrtim asnjë ankesë. Nuk përgjigjet në asnjë ankim të palëve, në asnjë parregullsi edhe kur ajo është evidente. Nëse sekserët e këtij Agjencioni të krimit të organizuar kanë shitur një ndërmarrje apo një lokal me një çmim të caktuar, por ndërkohë është lajmëruar një tjetër sekser duke ofruar një shumë tjetër, AKP-ja e ka shpallur të pavlefshëm fituesin aktual, me arsyetim se lokali është shitur lirë. Në tenderin vijues, vlera është dyfishuar. Ankesat e palëve të dëmtuara me këtë rast refuzohen pa asnjë shpjegim, meqë AKP-ja nuk i përgjigjet ligjeve të Kosovë, por vetëm “ligjeve” të krimit ekomomik, krejt hapur, pa pardon.


 


Përfitues nga AKP-ja, në formë apo tjetër janë të gjithë zyrtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve, me sekserët e tyre, janë tërë klase e re feudale-kapitaliste, e cila ia ka ndalur rriten dhe zhvillimin harmonik Kosovës dhe duke qenë e tillë, e kapur  në krim, ajo është shantazhuar dhe po shantazhohet për të lëshuar pe në bisedime me Beogradin, Brukselin dhe me “miqtë’ e partnerët tanë shumë të dashur, të cilët edhe Gjykatën për krime kundër UÇK-së e kanë themeluar sepse na duan shumë, ashtu sikur duan me çdo kusht që fillimisht ta kthejnë Serbinë në Kosovë dhe këtë e kanë arritur dhe për fund duan ta kthejnë Kosovën nën Serbi, ashtu sikur kishte qenë në kohën e regjimit të Milosheviqit. Vetëm kur ta arrijnë këtë qëllim,  mbetjet e organizmave të huaj do të largohen nga Kosova.


Ahmet Qeriqi


Një Maj 2014

Kontrolloni gjithashtu

Hisen Berisha

Deputeti, Hisen Berisha, kërkon ndërprerjen e mandatit të Kryeministrit Kurti për shqetësimin e ekzistencës së Kosovës

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka bërë thirrje për ndërprerjen e mandatit të kryeministrit Albin …