Fetnete Ramosaj

Telegrami i Drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë dhe Redaksisë, Dëshmorët e UÇK-së, dërguar familjes Ramosaj

Në telegramin e  Drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë dhe Redaksisë, Dëshmorët e UÇK-së, për familjen  Ramosaj, me rastin e ndarjes nga jeta të Fetnete Maxhun Ramosajt thuhet:

U ndamë me dhembje të madhe por me kujtim të përjetshëm nga Fetnetja, luftëtarja e lirisë, reporterja e luftës, bashkëpunëtorja e Radios Kosova e Lirë, Agjencisë Kosovapress dhe Redaksisë Dëshmorët e UÇK-së.

Fetnete Ramosaj në 20 vjet e fundit ishte  pa një punë meritore, edhe pse ishte ndër më meritoret e kohës së luftës dhe paqes në vendin tonë!

20 vjet përballje me të gjitha sfidat, pa një ndihmë nga shoqëria, së cilës  i dha tërë jetën e saj nga rina e hershme e deri në fund.

Fetnetja, nga natyra e saj ishte  heshtur dhe e përmbajtur, ndaj atyre të cilët kishin për detyrë ta pyesnin për heshtjen e saj…

Ishte shumë e vrullshme dhe me fjalë pëlcitëse  si bombë kundër dhunës e barbarisë serbe, kudo ku flitej për të, në takime e simpoziume, ashtu sikur kishte raportuar nga frontet e luftës në Dukagjin, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtare e së cilës kishte qenë  qysh në radhët e para.

Ishte e vetëpërmbajtur, por jo e ndrojtur për të  treguar njerëzi, kulturë, dinjitet e temperament të një femre shqiptare, e cila eci krah hapur me trimat e trimëreshat e Kosovës, në rrugën e saj për çlirimin e atdheut, përparimit dhe bashkimit të kombit. Ajo ishte kudo në vendet ku flitej e dëshmohej e vërteta për Kosovën, në Deçan, në Pejë, në Prishtinë, në Shkup, Shkodër, në Tiranë e kudo në trojet tona…

Ngushëllime Familjes, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të afërmve!

Lavdi e përjetshme, jetës she veprës së Fetnete Ramosajt!

 

 

***

 Fetnetja me jetën, punën, veprën e saj radhitet në mesin e femrave shqiptare, që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, për çlirimin e vendit, për emancipimin shpirtëror të shqiptarit e të shqiptares  të kohës sonë, për studimet shkencore në zbardhjen e krimeve dhe të gjenocidit shekullor serb mbi shqiptarët dhe tema të shumta që ka trajtuar gjatë tërë jetës së saj të shkurtër, por të dinjitetshme.  Ajo për jetë e mot   do të kujtohet në mesin e femrave më të njohura të historisë   sonë më të re, thuhet në telegramin drejtuar familjen së Maxhun Ramosajt

Fitnete Ramosaj, u lind më 1972, në Deçan. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Deçan. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, Fakultetin dhe studimet pasuniversitare në Prishtinë. Ka magjistruar në shkencat e sigurisë.

Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), veç tjerash, ka kryer detyrën e Zëdhënëses së UÇK-së për informim Zonën Operative të Dukagjinit. Njëkohësisht ka raportuar edhe për Radion Kosova e Lirë dhe  Agjencinë KosovaPress”, Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), etj. Ka bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve “Zëri i Amerikës”, “Deutsche Welle”, “BBC” dhe me shtypin shqiptar të kohës në Kosovë, Shqipëri e diasporë.

Ka qenë bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës “Zgjimi”, Deçan (1991-1997); bashkëpunëtore dhe anëtare e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, Zvicër/Prishtinë (1995-2001); bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës së parë ushtarake në Kosovë “Ardhmëria” – Organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes (1999-2001); redaktore në gazetën javore “Fokus”, Prishtinë (2003-2007), hartuese e biografive të dëshmorëve të kombit nga  Zona e Dukagjinit për monografinë, “Feniksët e lirisë”

Është autore e disa fejtoneve e dhjetëra shkrimeve publicistike, të botuar në shtypin legal e ilegal të kohës që nga viti 1991 e këndej; recensuese, lektore dhe redaktore e disa librave publicistikë, historikë e të çështjeve të sigurisë; pjesëmarrëse me kumtesa shkencore në disa simpoziume e konferenca shkencore ndërkombëtare, etj.

Është autore e librave:

– DEÇANI (Monografi), në bashkautorësi me Faton Mehmetaj, botoi “Zgjimi”, Deçan, nëntor 1997, 528 f.

– Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve” / – Serbian crimes in Kosova – WITHOUT APOLOGY – Facts Against Defamations” (Vëllimi i Parë, shqip/anglisht), botoi “Fokusi”, Prishtinë, 2005. Ribotuar në të njëjtin vit në 10 mijë kopje, f. 350.

– Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”, (Vëllimi i Dytë), botoi “Anatema”, Prishtinë, 2008, 442 f.

– Serbian crimes in Kosova – Without Apology – Facts Against Defamations”, (The Second Volume), botoi “Anatema”, Prishtinë, 2008, 446 f.

“Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, botoi ISGJS, Prishtinë, 2013,  183 f.

–  Serbian extremist organizations in Kosova”, botoi ISGJS, Prishtinë, 2015.

–  UÇK-ja në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente të luftës 1998-1999) Prishtinë 2019.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova duhet të përmbushë Asociacionin, Serbia të japë llogari për sulmin në Banjskë, deklaroi ambasadori amerikan, Robert Wood

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert  Wud, theksoi rëndësinë e përmbushjes së zotimeve …