Shumica e qytetarëve në Malishevë bartin maska, komuna ju shpërndanë atyre që dalin pa maska

Shumica dërmuese e qytetarëve të Komunës së Malishevës, të cilët dalin për të kryer obligime të ndryshme në qytet, po i bartin maskat mbrojtëse për fytyre, e po ashtu edhe bizneset kanë vendosur dezinfektues dhe njoftime paralajmëruese, duke respektuar vendimet e qeverisë për masat mbrojtëse ndaj COVID-19. Të gjitha bizneset, por edhe qytetarët në rrugë vëzhgohen nga inspektorati komunal dhe policia, në kuadër të vetëdijesimit të tyre për obligimin e mbajtjes së maskave dhe masave tjera mbrojtëse ndaj virusit korona. Ndërsa qytetarët, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë vendosur maska, Komuna e Malishevës, sot ju ka shpërndarë maska mbrojtëse për fytyrë, në rrugë dhe në afërsi të marketeve, si dhe i kanë njoftuar për obligimin që kanë për mbajtjen e maskave mbrojtëse. Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati, i kanë vizituar disa nga marketet dhe i kanë takuar qytetarët në rrugë, të cilëve ju kanë shpjeguar vendimin dhe detyrimin për mbajtjen e maskave, si dhe i kanë furnizuar me maska, të gjithë ata që nuk kishin maska mbrojtëse. Të gjitha këto aktivitete bëhen me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës nga pandemia e COVID-19 si dhe për zbatimin vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për masat shtesë për mbrojtje ndaj kësaj pandemie.

Kontrolloni gjithashtu

Skenderaj po bëhet gati për marshin protestues “Kosova po pret”

Kryetari i komunës së Skenderajt, z.Sami Lushtaku përmes një postimi të tij në facebook, ka …