Ish-truproja i Sali Berishës ka rrëfyer ditët e fundit se në vitin 1992 kishte një skenar për vrasjen e Aleksandër Meksit. Sipas Izet Haxhisë, Berisha i kishte dhënë fjalën Bashkim Koplikut se do ta bënte kryeministër, por në votimin përballë Meksit në Këshillin Kombëtar, Kopliku humbi. Haxhia rrëfen se pavarësisht kësaj, Berisha i premtoi Koplikut se do të qëndronte si ministër i Brendshëm vetëm 6 muaj, për t’u bërë më pas kryeministër. Haxhia thotë se në mënyrë që të eliminohej Meksi, u planifikua rrëzimi i avionit të tij, por kryeministri i asaj kohe shpëtoi falë një piloti italian, i cili arriti të ulte avionin në pistën e Rinasit, të cilës qëllimisht iu hoq ndriçimi. Vetë ish-kryeministri Meksi e ka pohuar vërtetësinë e një skenari të tillë. Në një prononcim për gazetën “Dita” lidhur me këtë çështje, ai është shprehur se ngjarja është e vërtetë. “Më ka tronditur ky rrëfim i Izet Haxhisë. Ngjarja është e vërtetë. Kështu ka ndodhur. Por nuk i kam ditur dhe nuk jam interesuar asnjëherë për prapaskenat dhe rrethanat se si ka ndodhur. Nuk mund të flas më tepër për momentin”, është shprehur ai.
Kontrolloni gjithashtu
Ejup Maqedonci: Serbia ka vendosur 70% të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar për një situatë të rrezikshme sigurie, …