FSSHK e quan skandaloz dhe ofendues vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtesat e punonjësve shëndetësor

FSSHK: Ato që ka thënë, Albin Kurti për ne nuk qëndrojnë dhe janë njëjta me gjuhën fyese e urryese ndaj punës sonë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e Kosovës, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, të bëra në seancën e  Kuvendit, ku ka përmendur se disa sindikata kishin nënshkruar marrëveshje me koalicionin PAN në fushatën elektorale të vitit 2017. Sipas FSSHK-së, ato që ka thënë sot Kurti nuk qëndrojnë, ndërsa e kanë quajtur gjuhë fyese e urryese ndaj punës së tyre. “Njoftojmë opinionin e gjerë publik se nga ato çfarë thotë kryeministri Kurti asnjëra nuk qëndron, i njëjti me gjuhë të ashpër e urryese njollos punën tonë, duke tentuar që në këtë mënyrë të shpërqendrojë opinionin rreth kërkesës sonë legjitime: Rritjen e pagës dhe miratimin e Ligjit të Pagave, ku për realizimin e të cilave do t’i përdorim të gjitha mjetet legjitime të reagimeve sindikaliste, pavarësisht presionit dhe linçimeve karshi nesh!”, thuhet në reagim. FSSHK-ja në këtë reagim ka sqaruar, sipas tyre, atë çfarë kishte ndodhur në vitin 2017 me partitë politike.

“Për të qenë të qartë kështu duke e demantuar atë se çka Kurti përmendi sot, ju rikujtojmë se: më 22.05.2017 Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e Kosovës u ka dërguar kërkesë prej 13 pikësh 5 partive politike: LDK, PDK, AAK, LVV, Nismës, e më 23.05.2017 AKR-së e PD-së po ashtu, ku në pikën 5 të kësaj kërkese FSSHK-ja cek Ligjin e Pagave, duke kërkuar përcaktimin e koeficienteve për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, me theks të veçantë punëtorët shëndetësorë, mirëpo me sa po shihet sikurse atëherë, as sot nuk ka gjetur vullnetin e mirë kryeministri me partinë e tij që t’u vihet në ndihmë punëtorëve shëndetësorë me qëllim që t’u përmirësojë mirëqenien!”, thotë FSSHK-ja. Ata në fund kanë paralajmëruar grevë, pasi kryeministri, nuk po merret me kërkesat e tyre. “A është e drejtë kjo çka kemi kërkuar? PO është, ka qenë e do të jetë..! Dëshprimisht, duke qenë se Kurti është në rrugë për të dështuar, njëkohësisht duke dezinformuar në të gjitha aspektet, atëherë s’i mbetet asgjë tjetër, vetëm shkatërrimi i sindikatave. Shihemi në grevë!”, thuhet në fund të reagimit.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Speciale në Hagë refuzon pjesën më të madhe të provave që nuk lidhen drejtpërdrejt me akuzat ndaj udhëheqësve të UÇK-së

Në vendimet e fundit të Gjykatës Speciale, pjesa më e madhe e provave të paraqitura …