Në kuadër të projektit CBCEcoKid, gjatë ditës së sotme në shkollën “Jeronim De Rada” në Ferizaj, është mbajtur punëtori me teme ”Energjia efiçiente dhe roli i saj në mjedise”. Në këtë punëtori kanë marrë pjesë 48 pjesëmarrës, prej të cilëve 40 nxënës të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit’, “Gjon Serreçi” dhe “Jeronim De Rada”. Për më tepër, nxënësit pjesëmarrës patën rastin që të kontribuojnë në ndërtimin e mesazheve lidhur me temat: 1. Energjia Efiçiente; 2. Mbrojtja e Ambientit; dhe 3. Ndotja e Ajrit. Në këtë punëtori ka marrë pjesë edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit Afrim Llabjani, i cili ka thënë se këto mesazhe do të jenë pjesë përbërëse e kampanjës mediale e cila do të zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të projektit. “Kjo është një mundësi e mirë që gjeneratat e reja të marrin më shumë njohuri lidhur me energjinë e ripërtërishme dhe ndikimin e saj në rritjen e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të Ferizajt” ka thënë drejtori Afrim Llabjani. Ndërsa Diella Hamdiu, nxënëse e klasës së gjashtë në shkollën “Gjon Serreçi”, u shpreh shumë falënderuese për mundësinë e ofruar për të qenë pjesë e punëtorisë së organizuar. “Nxënësit kanë shumë nevojë për më shumë informacione lidhur me energjinë e ripërtërishme, derisa punëtori të tilla duhet të organizohen më shpesh’, tha ajo. Duke vlerësuar lart pjesëmarrjen dhe kontributin e nxënësve në këtë punëtori, Jeton Rexha, Menaxher i Projektit CBCEcoKid, nënvizoi bashkëpunimin e ndërtuar me autoritetet komunale e po ashtu edhe me udhëheqësit e të katër institucionet publike arsimore në Ferizaj të cilat janë përfituese dhe partnere në realizimin e aktiviteteve të projektit CBCEcoKid. “Projekti CBCEcoKid është shembull i promovimit të energjisë së ripërtërishme në komunat partnere Ferizaj dhe Çair duke mbështetur 8 institucione publike arsimore (4 në Ferizaj dhe 4 në Çair) përmes instalimit të paneleve solare dhe vendosjes/zëvendësimit të poçave ekzistues me poça efiçientë’, tha Rexha. CBCEcoKid është projekt i financuar përmes Programit të Bashkimit Evropian për Bashkëpunim Ndërkufitar Kosovë – Republika e Maqedonisë së Veriut në kuadër të fondeve IPA II Kosovë-Maqedonia e Veriut 2014-2020. Komuna e Ferizajt është udhëheqëse e projektit, në partneritet me Komunën e Çairit dhe me OJQ ‘Business Support Center Kosova – (BSCK)’, duke promovuar gjenerimin e energjisë së ripërtërishme në institucionet publike në komunat partnere në të dy anët e kufirit.