KOK reagon në IOC dhe ITF për mesazhin e provokatorit Gjokoviq

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka dërguar të martën ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në lidhje me mesazhin provokues dhe politik të tenistit serb, Novak Gjokoviq.

Ai, vazhdoi edhe dje me provokimet e tij politike, duke shkruar mesazhe me propagandë pro-serbe “Kosova është zemra e Serbisë, ndaleni dhunën”.

Me këtë rast, KOK ka kërkuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON/IOC), që të marrë masa ndaj serbit për mesazhet e vazhduara politike në dëm të një vendi të pavarur dhe anëtar i IOC-ut, siç është Kosova.

 “Gjokoviq promovoi sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe përdori platformën sportive për ta bërë këtë. Po ashtu, deklaratat e mëtejshme të bëra nga një personazh i tillë publik pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të tensionit dhe dhunës mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në fillim të reagimit.

KOK një kopje të reagimit ia ka dërguar edhe Fedearatës Ndërkombëtare të Tenisit.

“Si presidenti i KOK-ut, e ndjej për obligim të ngris shqetësimet e mia dhe ju kërkoj që të reagoni në emër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, pasi këto mesazhe dhe veprime janë të rrezikshme për të ardhmen e sportit, nëse mbesin pa u ndëshkuar. Sipas Kartës Olimpike (parimi themelor 5), siç u përmend më lart, organizatat sportive në kuadër të Lëvizjes Olimpike do të zbatojnë neutralitetin politik dhe duke pasur parasysh se ITF është Federatë Ndërkombëtare e njohur nga IOC, unë me respekt kërkoj që IOC të reagojë në kuadër të saj dhe t’i kërkojë ITF-së të ndjek parimet e rregulluara nga Karta Olimpike, dhe të hetoj çështjen duke hapur procedurë disiplinore kundër sportistit”, thuhet më tej në reagimin e dërguar nga presidenti Krasniqi, për presidentin e IOC-ut, Thomas Bach.

“I nderuari president, ajo që ndodhi në ‘French Open’, përceptohet si shkelje e parimeve sportive dhe e shpirtit olimpik, si një shkelje e Kartës Olimpike. Pavarësisht se Novak Gjokoviq është një nga tenistët më të mirë, një sjellje e tillë e përsëritur nuk mund të tolerohet, pasi krijon një precedent të rrezikshëm që sporti mund të përdoret si një plaftojmë për mesazhe politike, agjenda dhe propagandë. Unë me të vërtetë shpresoj që IOC të ngrit zërin në emër të sportit dhe të tregoj edhe një herë, siç e keni treguar gjithmonë, se sporti nuk mund të përdoret për mesazhe dhe agjenda politike dhe ju falënderoj paraprakisht për vëmendjen që do të rezervoni për këtë çështje”, shkruan në fund të reagimit të të parit të KOK-ut, z. Ismet Krasniqi.

Mesazhi i djeshëm i Gjokovoqit, nuk ishte i pari, pasi i njëjti kishte bërë deklarata të tilla politike në ngjarje të ndryshme të tenisit.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …