Doli nga shtypi, vepra, “Anketa intelektuale”, e autorit, Isak Guta

Këto ditë doli nga shtypi, vepra “Anketa intelektuale”, e autorit, Isak Guta, veprimtar, studiues, publicist dhe biografi më meritor i jetës dhe veprës se, aktorit të madh shqiptar me famë botërore,  Aleksandër Mojsiut. Isaku është aut0r i dhjetëra veprave publicistike, në të cilat ka trajtuar tema ndër më të ndryshmet, duke dhënë një kontribut të çmueshëm në shumë lëmi të kulturës, letërsisë, artit, publicistikës e të tjera. Libri “Anketa intelektuale”, ka 154 faqe, botoi, Radio-Kosova e Lirë.

Isak Guta, krijues i njohur  i përmasave shumëdimensionale

 

Isak Guta është  veprimtari, shkrimtari, publicisti e mbi të gjitha studiuesi i mirënjohur dhe shumë i  apasionuar i jetës dhe veprës së legjendarit, artistit me përmasa botërore të skenës, Aleksandër Mojsiu. Ai nuk resht së shkruari e së botuari vepra me vlerë,  vepra dëshmi për brezat e idealistëve, të cilat e begatojnë letërsinë shqipe.

 

Vepra më e re e këtij autori, “Anketa intelektuale”, është një krijim publicistik i llojit të vet, vepër origjinale në formë e brendi, sepse, krijuesi, Isak Guta, me kohë ka zgjedhur rrugën e vet autentike në pasqyrimin e botës së tij emocionale e shpirtërore, duke trajtuar tema të caktuara, me rëndësi për publicistikën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Ai është marrë dhe merret me tema të veçanta.

Autori i kësaj vepre, nuk hamendet për të paracaktuar zhanrin, për të trajtuar një temë, apo motiv të caktuar. Ai shkruan lirshëm pa i përfillur paradigmat, jo me qëllim për t’ i mënjanuar, apo për t’i shpërfillur ato, por ndihet shumë më i lirë në heterogjenitetin e motiveve  e zhanreve. 

 

Libri, “Anketa intelektuale” i ilustron më së miri preokupimet e tij, për  të trajtuar tema me interes të përgjithshëm, qofshin ato të zgjedhura nga përditshmëria, nga e kaluara e largët apo e afërme, apo tema të pashtershme për jetën dhe veprat e idealistëve, duke qenë edhe vetë një militant idealist, i paluhatshëm, i papërmbajtur për ta mbrojtur sa me më shumë fakte të vërtetën, të drejtën, realitetin, qëndresën, me besim të patundur në emancipimin e njeriut dhe shoqërisë  në përgjithësi.

 

Libri botohet në pesë-vjetorin e ndarjes nga jeta të Bacës së Madh, Bacës  së Kombit, Adem Demaçi, i cili vazhdon të mbetet frymëzim për shkrimtarët, studiuesit, poetët, publicistët, historianët, regjisorët, politikanët e të tjerë, sepse Baca ishte shumë i madh në botën e tij shpirtërore, intelektuale, qëndrestare dhe nuk bëhet dot zap nga një biograf, apo nga një shoqatë, cilado të jetë ajo. Jeta dhe vepra e Demaçit është lapidare në çdo segment, në të gjitha përmasat, trajtimet, vlerësimet, përshkrimet, në të gjitha dimensionet qofshin ato krijime origjinale, mendime filozofike, intervista e debate, biseda, analiza, komente të caktuara e të tjera…

 

 Autori, librin e ka ndarë në tri pjesë kryesore. Ka folur gjerë e gjatë për disa nga personalitet më të njohura dhe më të dëshmuara të kombit, duke filluar me Enver Hoxhën, pastaj Adem Demaçin, Rexhep Qosen, Muzafer Xhaxhiun,  me qëndrimet e tyre dinjitoze, kurdoherë vertikale,  për të cilët jo vetëm që ka konsideratë, por vë në pah kontributin e tyre për kombin e më gjerë. 

Po ashtu ka vënë në pah edhe anën tjetër të medaljes, duke analizuar e komentuar edhe botën tjetër, atë të kompromiseve, të atyre që “mikun e ftuar apo të paftuar e bëjnë zot shtëpie”, me qëllim për të vjelin  sa më shumë fitime, pa djersë, pa sakrificë, pa u lodhur fare, por vetëm me: “lepe-peqe, moljim lepo, Jes okej”.

Duke i vënë përballë këto dy botë antagoniste, publicisti, Isak Guta, në veprën e tij, “Anketa intelektuale” nxjerr edhe përfundime filozofike, duke marrë për bazë, mbi të gjitha ligjet e jetës, shembujt e shumtë të ngritjeve e rënieve, por gjithnjë me besim të patundur se “e drejta vonon por nuk harron”.

Të besosh në të drejtën e në të vërtetën, do të thotë të jesh idealist. Isak Guta i tillë ka qenë, është, dhe po mbetet i tillë, jo sepse nuk ka mundur t’ia kthejë ndryshe, sikur kanë bërë e  bëjnë shumica, por sepse është i një brumi tjetër, me një edukatë të mirëfilltë familjare e shoqërore, me vetëdije e dinjitet për të mos u pajtuar kurrë me të ligën e të keqën, por pa e tepruar në të drejtën e tij, sepse i beson edhe relatives…

 

Vepra më e re e Isak Gutës, “Anketa intelektuale”, është e mbushur me fakte e të dhëna, të cilat e begatojnë përmbajtjen me një kënd origjinal të qasjes e vrojtimit të problemeve me të cilat janë ballafaquar e po ballafaqohen intelektualët shqiptarë, kudo në Kosovë, në, Shqipëri apo gjetkë. 

 

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Urojmë suksese të gjithë nxënësve të shkollave shqipe në Zvicër për vitin shkollor 2025/2026! Në …