U mbajt Akademi përkujtimore në 20 vjetorin e vdekjes së Milaim Bajramit “Udhëheqës në kohë të vështira”

Në 20 vjetorin e vdekjes së Milaim Bajramit, ish-kryetar i komunës së Vitisë në vitet 1967-1968, udhëheqës i Ndërmarrjes “Agromorava”, drejtor i Ekonomisë së Pyjeve në Komunën e Vitisë dhe drejtor në Ndërmarrjen “Banja e Kllokotit”, u zhvillua një akademi përkujtimore me titullin “Udhëheqës në kohë të vështira”, për të nderuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e rajonit dhe shërbim të komunitetit.

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, theksoi rëndësinë e Milaim Bajramit si udhëheqës dhe njeri që ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik dhe social të komunës, veçanërisht në periudhën e vështirë të viteve të 60-ta. Ai e vlerësoi Bajramin për menaxhimin e suksesshëm të resurseve natyrore dhe zhvillimin e infrastrukturës në Viti. “Kontributi i Milaimit për qytetarët e Vitisë, ishte në një kohë të vështirë të historisë sonë, prandaj edhe emri i dokumentarit premier që po jepet sot “Udhëheqës në kohë të vështira” është shumë i qëlluar. Megjithatë, kjo nuk e ndali atë të kontribuonte për vendin e tij, duke u bërë një personalitet i respektuar që dha shumë për Vitinë.”

Kryetari Haliti më tej theksoi se angazhimi i Milaim Bajramit në pozita të ndryshme, gjithmonë ishte i vlerësuar për punën dhe angazhimin e tij profesional. Ai kujtoi se një kohë Milaimi ka qenë edhe drejtor i Kooperativës Bujqësore, ku tregoi aftësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. “Rruga e tij drejt suksesit vazhdoi pa u ndalur dhe ai më pas u zgjodh kryetar i komunës së Vitisë. Gjatë mandatit të tij si kryetar, ai kontribuoi në përmirësimin e infrastrukturës së komunës, duke sjellë asfaltimin e rrugëve të rëndësishme, si rruga Kllokot-Viti dhe rruga kryesore e qytetit. Milaimi ishte gjithashtu një vizionar për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, si dhe në hapjen e shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe në Viti, një hap historik që i dha mundësi brezave të rinj të arsimoheshin në gjuhën e tyre amtare.

Avdullahman Sokoli, veteran i arsimit, ndau kujtime dhe reflektime për veprimtarinë e Milaim Bajramit, duke folur për punën e tij si lider dhe ndikimin që kishte ai në arsimin dhe zhvillimin e shoqërisë së asaj kohe. Në emër të familjes Bajrami, Ali Bajrami përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për nderimin e të atit të tij, duke kujtuar vlerat dhe mësimet që ai ka lënë pas. Ai theksoi angazhimin e familjes për të mbajtur gjallë kujtimin për figurën e Milaim Bajramit dhe për të promovuar trashëgiminë e tij. Gjatë akademisë u shfaq premiera e filmit dokumentar kushtuar Milaim Bajramit, i realizuar nga produksioni “Rino Art”. Ky film përshkruan jetën dhe veprën e Milaim Bajramit, duke nxjerrë në pah sfidat dhe arritjet e tij gjatë periudhës kur ai udhëhoqi institucione dhe ndërmarrje të rëndësishme në Viti. Për punën në finalizimin e filmit, foli Selajdin Osmani, i cili ndau sfidat dhe kënaqësitë e krijimit të këtij dokumentari që synon të ruajë kujtimin për një personalitet të tillë të rëndësishëm për komunitetin.

Kontrolloni gjithashtu

Nesër më 23 tetor promovohet libri “Në emër të gjakut” të autorit Ahmet Prençi

Komuna e Deçanit nën përkujdesjen e kryetarit, z. Bashkim Ramosaj ju fton të merrni pjesë …