Analisti politik Dardan Sejdiu ka folur për arsyet kryesore që, sipas tij, po i shtyjnë qytetarët e Kosovës të braktisin vendin. Sejdiu identifikoi tri pasiguri të mëdha që ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin për të migruar jashtë vendit. “Së pari, kemi pasigurinë për të ardhmen – qytetarët nuk e shohin të qartë drejtimin që po merr vendi,” deklaroi Sejdiu. Ai shtoi se mungesa e një perspektive të qartë politike dhe ekonomike e bën jetën në Kosovë të paparashikueshme për shumëkënd. Sipas tij, shqetësimi i dytë ka të bëjë me sistemin shëndetësor, për të cilin qytetarët kanë një perceptim negativ dhe ndjejnë mungesë besimi në funksionimin e tij. “Pasiguria e tretë është ajo e vendit të punës dhe të ardhurave – njerëzit nuk janë të sigurt nëse mund të sigurojnë një jetesë të qëndrueshme në Kosovë,” përfundoi Sejdiu, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit ekonomik për qëndrueshmërinë e popullsisë.
