Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka paralajmëruar se dështimi për krijimin e institucioneve po rrezikon seriozisht përfitimet e Kosovës nga Plani i Rritjes së BE-së. Në mungesë të një qeverie funksionale dhe të një kuvendi aktiv, Kosova nuk ka arritur të ratifikojë Agjendën e Reformave, që do t’i siguronte vendit deri në 883 milionë euro ndihmë financiare në tre vitet e ardhshme. GLPS thekson se vetëm në momentin e ratifikimit, BE është zotuar të japë paraprakisht 61 milionë euro. Nëse marrëveshja nuk miratohet deri në qershor, fondet mund të humben ose të ridrejtohen drejt vendeve të tjera të rajonit. Po ashtu, Kosova mbetet nën masa ndëshkuese nga BE që nga qershori i vitit 2023, me dëme që kanë kaluar 100 milionë euro. GLPS bën thirrje për përgjegjësi politike dhe për zhbllokim të menjëhershëm të procesit integrues. Procesi i integrimit, sipas tyre, është interes kombëtar dhe nuk duhet të pengohet nga kriza politike. Vonesat e mëtejshme do të përbëjnë dëm historik për vendin.
