Janë disa data që të sjellin në mendje ngjarje interesante dhe shumë mbresëlënëse! 3 Maji, Dita e Lirisë së Mediave është një datë e tillë! E kjo datë, nuk ka se si të mos na kujtojë 4 janarin e vitit 1999 – datën kur në eterin e Kosovës, filloi të shpërndahej zëri i Radios Kosova e Lirë. Pas kësaj date, çdo ditë në orën 16:00, në një vend hapësirë të dhomës, mbanim radion pezull me dorë për t’i përcjellë lajmet nga ky medium i jashtëzakonshëm, të cilat bazoheshin në dëshmi okulare e nga zhvillimet në frontet e luftës!
Ishin vite të luftës dhe ishte ndjenjë e përshkrueshme për këdo që mund t’i dëgjonte lajmet nga kjo Radio emblematike, që paralajmëronte lirinë!
Pak vite më vonë, do të ndodhte diçka që as kisha mundur ta imagjinoja gjatë asaj kohe – të bëhem gazetar dhe redaktor i lajmeve në këtë medium!!! Ishte 2 Maji i vitit 2008, kur fillova hapat e parë në këtë fushë, për të vazhduar më tutje vite me radhë, deri më sot!
Njeriut që i jam përjetësisht mirënjohës, që më dha mundësinë për t’u angazhuar dhe kontribuar në këtë fushë, është udhërrëfyesi im, personaliteti poliedrik, profesor Ahmet Qeriqi.
Komunikimi me asnjë personalitet në jetën time, nuk më ka begatuar me njohuri dhe dashuri për lirinë e atdheut, kombit, njeriut, sa bisedat me bacin Ahmet, i cili kishte njohuri të jashtëzakonshme në fusha të shumta humane dhe ishte tejet modest!
Cilësi e njerëzve të jashtëzakonshëm!