Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar ftesën e kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për një takim konsultativ rreth propozimit për krijimin e një qeverie nacionale të tranzicionit. Lajmin e bëri të ditur vet Abdixhiku në një konferencë për media, ku shpalosi idenë e tij për një qeveri gjithëpërfshirëse me mandat të përkohshëm, që do të qeverisë deri në zgjedhjen e presidentit të ri. “Mund të them se z. Haradinaj sapo më shkroi, e pranoi një ide të tillë. Por duhet ta pyesni atë vetë. Unë po flas për idenë e propozuar nga unë si kryetar i LDK-së”, tha Abdixhiku, duke shtuar se ka njoftuar të gjithë liderët e partive politike shqiptare për propozimin. Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Abdixhiku u shpreh se vendi ndodhet në krizë të thellë institucionale dhe kërkon një zgjidhje të përkohshme që nuk përjashton asnjë subjekt politik shqiptar.
