Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka njoftuar se vendi do të marrë përsëri drejtimin e Komandës së Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, duke filluar nga tetori i vitit 2025, për një mandat njëvjeçar. Sipas njoftimit zyrtar, Turqia tashmë e ka përmbushur me sukses këtë detyrë gjatë periudhës tetor 2023 – tetor 2024, dhe është e gatshme të rifillojë rolin udhëheqës në kuadër të angazhimit të saj për paqen dhe stabilitetin në rajon. “Vendi ynë, i cili e ka kryer me sukses detyrën e Komandës së Forcës Paqeruajtëse në Kosovë gjatë periudhës tetor 2023–2024, do ta marrë përsëri këtë detyrë për një vit, duke filluar nga tetori i vitit 2025,” thuhet në deklaratën e Ministrisë turke të Mbrojtjes. Turqia është një nga kontribuueset më të rëndësishme në kuadër të misionit të KFOR-it që nga themelimi i tij në vitin 1999, duke luajtur një rol të qëndrueshëm në ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e institucioneve lokale në Kosovë.
