Nënkryetari i AAK, Pal Lekaj, ka reaguar ashpër ndaj praktikës së institucioneve shtetërore për marrjen me qira të mjeteve të transportit, duke i cilësuar këto kontrata si të pajustifikueshme dhe ekonomikisht të dëmshme. Lekaj kritikoi konkretisht kontratat shumëvjeçare me vlerë të lartë, të cilat, sipas tij, shpesh tejkalojnë çmimin e blerjes së veturave të reja, duke e cilësuar këtë si një shembull të keqmenaxhimit të fondeve publike. Marrja me qira e mjeteve të transportit nga institucionet, për periudha të gjata dhe me kosto që shpesh tejkalon çmimin e blerjes, është një praktikë e pajustifikueshme dhe ekonomikisht e dëmshme,” deklaroi ai. Lekaj ngriti gjithashtu shqetësime serioze mbi transparencën e këtyre proceseve, duke aluduar në lidhje të mundshme mes kompanive përfituese dhe njerëzve me ndikim brenda qeverisë. Këtu kemi të bëjmë me mungesë transparence dhe shpërdorim të parasë publike, prandaj këto veprime duhet të hetohen dhe të marrin përgjigjen e duhur institucionale,” theksoi ai.
