Është zbuluar edhe emri i agjentit të dytë të BIA-s serbe me të cilin dyshohet se bashkëpunoi Hysri Selimi, i njohur si “Abusead Kosova”, tashmë në paraburgim për spiunazh. Përveç Stanislav Karadzic (“Caki”), Selimi dyshohet se ka bashkëpunuar edhe me Igor Babic. Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, ai u rekrutua nga BIA dhe u pagua për të dhënë informacione për zyrtarë të Kosovës, ekstremistë islamikë dhe institucione të sigurisë. Takimet ndodhën në Serbi, ku Selimi dorëzonte të dhëna në këmbim të parave dhe telefonëve të mençur. Nga përgjimet rezulton se ai udhëtonte shpesh drejt Vranjës. Në disa raste, sipas dëshmive, ai kalonte kufirin dhe kthehej brenda ditës. Edhe vetë Selimi ka pranuar kontaktet, duke i justifikuar si ndihmë për dokumente. Mbrojtja e tij po konteston motivin e këtyre udhëtimeve. Rasti po trajtohet nga Prokuroria Speciale si çështje e rëndë e sigurisë kombëtare. (Gazeta Insajderi )
