Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot dy nga ngjarjet më të rënda të luftës së fundit në Kosovë: Masakrën e Dubravës dhe atë të Vushtrrisë, të kryera nga forcat serbe më 22 maj 1999. Haradinaj i ka quajtur këto krime si akte të pastra të gjenocidit serb, me synim zhdukjen e popullit shqiptar. Nga data 19 deri më 22 maj në burgun e Dubravës, mbi 130 të burgosur shqiptarë u vranë dhe mbi 200 të tjerë u plagosën, në atë që e cilësoi si një nga krimet më makabre të pushtuesit serb. Haradinaj gjithashtu përkujtoi masakrën në Vushtrri, ku forcat serbe ekzekutuan 68 civilë shqiptarë, përfshirë burra, gra dhe fëmijë. Trupat e 67 prej tyre u zbuluan më vonë në varreza masive në Serbi, gjatë periudhës 2003–2012. Shteti serb, edhe sot e kësaj dite, refuzon të pranojë të vërtetën dhe të japë përgjegjësi për krimet e kryera,” shkroi Haradinaj. Ai nënvizoi se Kosova vazhdon betejën për drejtësi dhe se kujtimi për viktimat e luftës mbetet i gjallë. “Kosova nuk harron. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!” – përfundon deklarata e tij.
