Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar të udhëhequr nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, “Defender Europe 25”. Ky ushtrim do të zhvillohet nga data 26 maj deri më 9 qershor 2025. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të konvojeve ushtarake nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) drejt rajonit të Gjakovës, konkretisht në Aeroportin e Gjakovës dhe në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës. “Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar ‘Defender Europe 25’, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit”, thuhet në njoftim. FSK do të demonstrojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë me ushtritë partnere të rajonit dhe aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Kthimi i Kosovës në këtë stërvitje konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë dhe avancimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.
