Njohësi i çështjeve politike, Selam Shkodra, ka vlerësuar se iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për formimin e një Qeverie të Unitetit nuk është një propozim serioz dhe ka si qëllim kryesor kontestimin e legjitimitetit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Shkodra kritikoi platformën e paraqitur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar si të parealizueshme për një periudhë kaq të shkurtër kohore. “Ky propozim nuk është serioz. Synimi i tij është të vë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve. Të gjitha pikat që janë propozuar janë të pamundura për t’u realizuar brenda 10 muajve”, u shpreh Shkodra. Ai përmendi si shembull të pamundësisë implementimin e vettingut në sistemin e drejtësisë dhe rindërtimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në. “Si mund të bëhet vettingu në drejtësi për 10 muaj? Edhe nëse zgjoheshin figura historike si Ibrahim Rugova, nuk do të mund të siguronin një takim në Shtëpinë e Bardhë brenda këtij afati,” shtoi ai me tone kritike. sSipas Shkodrës, në rrethana politike normale, nuk ka as bazë legjitime e as moment për ndërtimin e një Qeverie të Unitetit, dhe çdo përpjekje e tillë është më tepër strategji politike sesa ofertë qeverisëse.
