Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar trupat e FSK-së në Qendrën për Trajnim të Gatishmërisë së Përbashkët – Joint Readiness Training Center – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e Ditës së Vizitorëve të Shquar. Në takimin me pjesëtarët e FSK-së që po trajnohen në këtë qendër elitare, gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e partneritetit të fuqishëm me SHBA-në, të ndërtuar për më shumë se një dekadë dhe që tashmë ka arritur një nivel të ri përmes trajnimeve të përbashkëta dhe përgatitjeve për dislokim në Lindjen e Mesme. “Sot ky synim është bërë realitet, falë përkushtimit të pjesëtarëve tanë dhe mbështetjes së palëkundur nga Garda Kombëtare e Iowas, e udhëhequr nga gjeneralmajor Stephen Osborn,” – deklaroi komandanti i FSK-së. Kjo shënon herën e parë që FSK-ja merr pjesë në një trajnim të tillë të nivelit të avancuar në SHBA, duke konfirmuar gatishmërinë e saj për të kontribuar në misione paqeruajtëse ndërkombëtare në krah të aleatëve.
