Ish-kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, profesori i njohur Hisashi Owada, është nderuar me titullin më të lartë akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Owada ishte në krye të GJND-së në vitin 2010 kur kjo gjykatë dha opinionin historik se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Gjatë ceremonisë së nderimit në Prishtinë, ai theksoi se ajo që është arritur në Kosovë nuk është një fitore mes kombeve, por një triumf njerëzor. Në ligjëratën e tij me temën “Përse Luftë – një Reflektim mbi Rendin Publik të Komunitetit Ndërkombëtar”, profesori Owada u ndal te shkaqet e thella të konflikteve, duke përmendur dëshirën për pushtet si një nxitës kryesor të luftërave në histori. Ai rikujtoi edhe letrat e shkëmbyera në vitet ’30 ndërmjet Albert Einstein-it dhe Sigmund Freud-it për natyrën e dhunës njerëzore, duke theksuar se sfidat e atëhershme mbesin aktuale edhe sot.
