Dallimet në qasjen gjyqësore për dënimet ndaj krimeve të luftës në Kosovë janë bërë sërish temë debati, pas shpalljes së aktgjykimit të fundit nga Gjykata Themelore në Prishtinë kundër Zoran Vukotiqit. Ai u dënua me 15 vjet burgim për vrasjen e një të mituri 14-vjeçar gjatë luftës së vitit 1999 – dënimi maksimal i paraparë me Kodin Penal të ish-Jugosllavisë. Në kontrast me këtë, Gjykata speciale, e administruar nga stafi ndërkombëtar në Hagë, nuk e zbatojnë këtë ligj. Kjo sipas avokatëve është shkelje e drejtpërdrejtë e nenit 15 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, që kërkon respektimin e ligjeve që kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Gjykata speciale ka shqiptuar dënime më të larta për të akuzuarit shqiptarë. Salih Mustafa fillimisht u dënua me 26 vjet burgim, dënim që më vonë iu ul në 15 vjet, ndërsa Pejtër Shala u dënua me 18 vjet. Këto mospërputhje në zbatim të ligjit po ngrenë shqetësime për standarde të dyfishta dhe mungesë të barazisë para drejtësisë – një çështje që, sipas juristëve, kërkon vëmendje urgjente institucionale.
