Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili ka shprehur shqetësimin se Kosova mund të humbasë 90 milionë euro nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në shtator. Bajrami e akuzoi Muratin për dezinformim dhe për përpjekje për të hedhur fajin te partitë e tjera, ndërsa sipas saj, përgjegjës për krizën politike mbetet Vetëvendosje. “Hekuran, mos dezinformo! Me 48 deputetë, e keni ngujuar veten dhe vendin politikisht rreth një kandidateje për kryetare të Kuvendit, për të cilën nuk i keni votat. Mos provo me ua hedh të tjerëve përgjegjësinë për krizën që vetë e keni krijuar,” shkruan Bajrami. Ajo gjithashtu ka kritikuar ministrin për, siç tha, dështimin për të siguruar votat për një kredi, ndërsa vendi, sipas saj, po humb qindra miliona euro grante nga Bashkimi Evropian për shkak të sanksioneve që rrjedhin nga “qeverisja arrogante dhe destruktive”. Pse nuk flet për rreth 70 milionë euro grante nga BE-ja për KEK-un, që nuk erdhën për shkak të masave ndëshkuese? E keni shkatërruar këtë vend dhe prapë dilni publikisht me broçkulla,” shtoi ajo.
