Analisti politik dhe ish-diplomati kosovar, Avni Arifi, ka komentuar situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një “krizë institucionale” të thellë. Përmes një reagimi në Facebook, Arifi ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se akuzat e tyre ndaj opozitës për zgjatje të mandatit janë tërësisht të pabaza dhe politikisht të gabuara. “Kjo krizë e ka zbuluar Kurtin në esencën e tij: një lider që nuk ndërton institucione, por i shkatërron ato nëse nuk i kontrollon vetë”, ka shkruar Arifi, duke shtuar se Kosova rrezikon të humbasë 90 milionë euro nga Banka Botërore dhe 63 milionë nga fondi i rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të bllokimit institucional. Sipas tij, Vetëvendosje nuk po kërkon konsensus, por kapitullim: “Ose Albulena Haxhiu, ose bllokim”. Ai theksoi se Kushtetuta nuk është krijuar për t’i dhënë një partie të vetme të drejtën për të marrë peng institucionet e shtetit. Arifi gjithashtu e vlerëson refuzimin e opozitës për të marrë pjesë në këtë proces si akt integriteti, duke theksuar se “çdo ditë pa institucione e demaskon më shumë modelin qeverisës të Kurtit si autokratik dhe destruktiv”.
