Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar si përgjegjës për izolimin ndërkombëtar të vendit dhe krizën e thellë politike e ekonomike. Lushaku-Sadriu tha se gjatë mandatit të Kurtit, Kosova është futur në sanksione nga miqtë më të ngushtë perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, gjë që sipas saj është e pafalshme. “Për shkak të mungesës së aftësive për dialog dhe të kuptuarit të politikës, Kosova u fut në sanksione. Kjo është përgjegjësi e qartë e Vetëvendosjes dhe e Albin Kurtit”, tha ajo. Deputetja e LDK-së përmendi gjithashtu mosrritjen e pagave, rritjen e çmimit të energjisë elektrike, skandalet me menaxhimin e sektorit të energjisë dhe përfshirjen e disa ambasadorëve në hetime nga Prokuroria Speciale, si dëshmi të një qeverisjeje të dështuar dhe të korruptuar. “Ne kemi qenë dëshmitarë të shkeljes së kushtetutës, të skandaleve që kanë tejkaluar kufijtë e Kosovës dhe të rënies së standardeve demokratike. Kjo nuk mund të falet”, u shpreh Lushaku-Sadriu, duke theksuar se qytetari nuk i ka dhënë Kurtit të drejtën për të cenuar shtetësinë e Kosovës.
