Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shpallur me vetëbesim kandidaturën e tij për një tjetër mandat në zgjedhjet lokale të tetorit, duke parashikuar një fitore bindëse për Partinë Demokratike të Kosovës. Lladrovci deklaroi se pret të fitojë 70-72% të votave, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit qendrore, ku PDK-ja në Drenas sipas tij mori 74% të votave, është tregues i mbështetjes që gëzon. I pyetur nëse fitorja do t’i takojë partisë apo atij si individ, ai u përgjigj: “Partia Demokratike në krye me Ramiz Lladrovcin”, duke nënvizuar se partia duhet të jetë krenare me qeverisjen e tij. Lladrovci iu përgjigj edhe deklaratave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, për problemet në degën e Drenasit, duke thënë se “nuk është aq i pamençur sa mos ta pranojë rezultatin tim”. Ai shtoi se qeverisja e tij ka qenë me “duar të pastra” dhe beson që kjo pranohet nga lidershipi qendror. Në lidhje me interferimet brenda degës lokale, Lladrovci përmendi edhe raportet me ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, duke pohuar se ai e ka luftuar më së shumti në zgjedhjet e vitit 2021. “Me Saminë jam rritur, kam pas aksionet e para të UÇK-së me të, por ai e ka inatin tim”, tha Lladrovci. Përkundër sfidave të brendshme, Lladrovci shfaqet i sigurt se qytetarët e Drenasit do t’i japin edhe një herë besimin për të vazhduar projektet e tij.
