Në një kohë kur Kuvendi i Kosovës po kalon krizën më të thellë funksionale që nga paslufta, emri i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka nisur të përmendet si alternativë konsensuale për postin e kryetares së Kuvendit. Pas 34 seancash të dështuara për konstituim, partitë opozitare kanë refuzuar vazhdimisht kandidaturën e Albulena Haxhiut, ndërsa figura e Selimit, ish-ushtare e UÇK-së dhe pjesëtare e TMK-së për gati një dekadë, po shihet si një emër që mund të bashkojë spektrin politik. Analistët dhe përfaqësues të partive opozitare, përfshirë AAK-në dhe PDK-në, kanë sinjalizuar gatishmëri për ta mbështetur një figurë të re nga LVV-ja, për sa kohë nuk ka pasur poste ekzekutive në katër vitet e fundit – kusht të cilin Selimi e plotëson. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka lënë të hapur mundësinë për ndërrim kandidati nëse Haxhiu nuk siguron votat, ndërsa mbetet të shihet nëse kjo lëvizje do të ndodhë në seancat e radhës.
