Qeveria në detyrë, e drejtuar nga Albin Kurti, nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e një buxheti shtesë prej 6.5 milionë eurosh për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Kërkesa është dërguar që në fund të muajit qershor, por asnjëra nga mbledhjet e Qeverisë nuk e ka pasur në rend dite këtë çështje. Burime brenda KQZ-së paralajmërojnë se çdo vonesë rrezikon nisjen me kohë të procedurave tenderuese, përfshirë edhe dërgimin e fletëvotimeve për diasporën. Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka kërkuar sqarime për vonesën, ndërsa përfaqësuesi i VV-së, Alban Krasniqi, ka fajësuar vetë KQZ-në për mungesë planifikimi të hershëm. KQZ ka miratuar një buxhet të përgjithshëm prej mbi 16 milionë eurosh për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa sot në orën 13:30 pritet të mbahet një mbledhje e radhës për diskutimin e përgatitjeve zgjedhore.
