Kancelari gjerman, Friedrich Merz, është përballur me kritika të ashpra nga partitë e majta në Gjermani, pas deklaratës së tij kundër valëvitjes së flamurit të ylberit mbi ndërtesën e Bundestagut në Ditën e Christopher Street, më 26 korrik. Në një intervistë për televizionin publik ARD, Merz mbështeti qëndrimin e kryetares së Bundestagut, Julia Klöckner, për të refuzuar kërkesën që flamuri i komunitetit LGBTQ+ të valëvitet mbi parlament. “Bundestagu nuk është një cirk ku mund të valëvitet çdo flamur,” u shpreh Merz, duke theksuar se flamuri i ylberit duhet të shfaqet vetëm më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë. “Të gjitha ditët e tjera valëviten vetëm flamuri gjerman dhe ai evropian – dhe ky është vendimi i duhur,” shtoi ai. Në shenjë proteste, disa deputetë të Gjelbërve veshën rroba me ngjyrat e ylberit në sallën plenare të Bundestagut, duke organizuar një protestë të heshtur.
