Tema të tjera...
Ramush Haradinaj: Kurti po i shpenzon qëllimisht 30 ditët pa zgjedhur kryetarin e Kuvendit
03/07/2025
Edhe sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke shënuar kështu herën e 41-të që ky proces mbetet i bllokuar. Shkak për këtë ngecje ka qenë sërish refuzimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të zbatuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton mënyrën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pavarësisht kërkesës së subjekteve opozitare që të rikthehet procedura sipas marrëveshjes së 8 prillit, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka insistuar në skenarin e propozuar nga Vetëvendosje. Ai ka hedhur në votim formimin e një komisioni ad hoc për të mbikëqyrur votimin e fshehtë për kryetare të Kuvendit – një propozim që mori vetëm 54 vota, pa vota kundër apo abstenime, por që nuk mjaftoi për ta miratuar. Pas këtij dështimi, Dehari e ndërpreu seancën dhe njoftoi se përpjekja e radhës për konstituim do të bëhet të shtunën, në orën 11:00. VV ka qëndruar pranë kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndonëse ajo ka dështuar gjashtë herë të fitojë shumicën e nevojshme të votave. Opozita ka kërkuar që të propozohet një emër tjetër, duke u shprehur e gatshme të japë mbështetje për një kandidaturë kompromisi.