Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se kjo parti do të dorëzojë sot një lëndë të re në Gjykatën Kushtetuese, pas siç tha ai, tre shkeljeve të reja radhazi të Kushtetutës që kanë ndodhur gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit. Krasniqi theksoi se këto shkelje janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton qartë procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. “Sot ju njoftoj se tashmë, pasi kanë ndodhur tri shkelje të reja radhazi të Kushtetutës, në kundërshtim me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, PDK-ja do të dorëzojë gjatë ditës një rast të ri në këtë gjykatë”, tha ai në një deklaratë për media. Kreu i PDK-së shprehu shpresën se Gjykata Kushtetuese do ta trajtojë këtë rast me urgjencën që e kërkon situata, duke kujtuar se kanë mbetur vetëm edhe 23 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
