Deklarata e ish-kryeministrit Albin Kurti, se ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”, ka nxitur reagime të ashpra nga figura të dala nga lufta dhe organizatat përfaqësuese të veteranëve. Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, e ka cilësuar këtë deklaratë si një “ligësi”, “absurde” dhe “paburrni”. Haradinaj tha se deklarata e Kurtit përputhet me narrativën e aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale dhe, sipas tij, është e motivuar politikisht. “Kjo përfaqëson aktakuzën për të cilën po akuzohet Thaçi. Por opinioni dhe gjykatësit duhet të jenë të zgjuar – Albin Kurti e ka thënë këtë për përfitim politik. Është nonsens, paburrni dhe një ligësi klasike”, deklaroi Haradinaj. Ai shtoi se Hashim Thaçi është nën mbikëqyrje të rreptë gjatë çdo vizite në Hagë dhe se pohimet e Kurtit mund të vërtetohen lehtë. “Nëse kjo që thotë Kurti është e vërtetë, atëherë duhet larguar nga puna ata që e monitorojnë Thaçin. Nëse jo, është shpifje. Kjo është për interes të ulët politik dhe tregon frikën e Albin Kurtit, që po bie në nivele të ulëta politike”, shtoi ai.
