Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku dhe Paris Guri, kanë deklaruar se LDK-ja ka të garantuara 20 vota kundër për çdo kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryetarit të Kuvendit. Ata theksuan se partia e tyre nuk e mban përgjegjësinë për bllokadën aktuale parlamentare, duke rikujtuar se LDK-ja ka ofruar një zgjidhje konkrete – Qeverinë e Unitetit. “Ne e kemi bërë propozimin më të mirë për situatën. Nuk kemi parë ndonjë propozim tjetër nga partitë e tjera”, u shpreh deputetja Lushaku. Ndërsa deputeti Guri theksoi se edhe nëse ka kritika për këtë ide, për aq kohë sa është i vetmi opsion në tryezë, mbetet zgjidhja më e arsyeshme. “Qeveria e Unitetit mund të ketë kundërshtime, por është e vetmja zgjidhje reale e ofruar deri tani”, tha ai. Deklaratat e tyre vijnë në kohën kur Kuvendi i Kosovës po përballet me një ngërç institucional, pasi asnjë kandidat për kryetar Kuvendi nuk ka arritur të sigurojë shumicën e votave në seancat e përsëritura.
