Dështimi i 42-të i Seancës Konstituive të Kuvendit të Kosovës

Me deklarimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, mbrëmjen e sontme ka nisur vazhdimi i 42-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Seanca fillimisht ishte paraparë të mbahej në orën 11:00 paradite, por u shty për shkak të një alarmi për bombë që rezultoi të ishte i rrejshëm. Kryesuesi Dehari njoftoi se pas vlerësimit të situatës nga ekipi për deminim, janë krijuar kushtet për vazhdimin e saj në orët e mbrëmjes.

Në seancë ishin të pranishëm 74 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare. Dehari e hapi seancën me të njëjtin propozim si herët e kaluara – formimin e komisionit për votim të fshehtë – një propozim që sërish u kundërshtua nga partitë opozitare si antikushtetues. Komisioni i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje mori vetëm 39 vota, duke dështuar të marrë shumicën.

Gjatë debatit, morën fjalën deputetë të opozitës. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kërkoi që Kuvendi t’i kthehet rendit kushtetues dhe i bëri thirrje kryesuesit që të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo akuzoi kryesuesin për ndërprerje të fjalës së lirë, pasi mikrofoni i saj u ndërpre me kërkesë të Deharit.

Ndërkohë, edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, i kërkoi Deharit që të mos shkelë Kushtetutën, duke përsëritur se LDK ka vetëm një propozim – që të respektohet akti më i lartë juridik i vendit.

Pas përplasjes për mënyrën e votimit dhe mungesës së konsensusit, seanca u ndërpre pa u konstituuar Kuvendi.

Për herën e 43-të, vazhdimi i seancës konstituive është caktuar të mbahet të dielën, më 7 korrik, në orën 11:00.

Kontrolloni gjithashtu

Time Kadrijaj

Time Kadriaj: Turpi në këtë rast e ka emrin Albin Kurti

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj ka drejtuar kritika ndaj …