-Festivali i Polifonisë i Zagorisë “Jeto Natyrën” është të ruajë traditën dhe të kthejë fshatarët në shtëpitë e tyre
– Ne do ecim në gjurmët e Rilindasit të zgjimit kombëtar Andon Zako Çajupi, dhe Dijetarit të gramatikës së gjuhës shqipe, Ilia Dilo Sheperi.
– Ky aktivitet që ka marrë udhën e përvitshme ka qëllim që zona e Zagories të mos mbetet në harresë si nga shteti ashtu dhe nga pushteti vendor e qëndror.
-Zagoria ka potenciale të mëdha që duhen shfrytëzuar qofshin këto pasuri natyrore apo shpirtërore.
Emigrimi i shumicës të popullsisë si gjithë shqiptarët që ikën pas viteve 90-të, Zagorinë e rënoi në çdo aspekt ndaj presim kthimin e madh.
-Intervistoi Albert Z. ZHOLI
Zagoria është zonë gjeografike dhe etnografike; shtrihet në krahinën malore – jugore të vendit dhe rajonizohet në rrethin e Gjirokastrës. Nga pikëpamja e pozicionimit gjeografik kufizohet nga: Mali i Dhëmbelit në L, i Lunxhërisë në P, fshatrat Kala e Leskaj në Poliçani në Jug. Ka gjatësi rreth 15 km, gjerësi 4 – 5 km, dhe vijë kufitare 45 km, prej së cilës 22 km me rrethin e Përmetit. Është formuar nga flishi paleogjenik, që formon një sinklinal dytësor në trajtë lugine në brezin antiklinal të Beratit. Lugina nga ana hapësinore ka fund të ngushtë dhe shpate të pjerrëta. Relievi është i ndërtuar nga formacionet të buta dhe shumëformësh. Prezente janë malet e lartë, të cilët e “mbështjellin” luginën, duke i dhënë një trajtë të veçantë tipike; përrenjtë e ngushtë e pjesërisht të thellë, kodrat e buta, kryesisht të veshura, të thepisura, të ravijëzuara dhe të pasura me kullota. E veçantë është se në lartësitë mbi 2000 metra janë tipike e prezente format e shumta karstike, cirqet akullnajore dhe shpellat karstike, të cilat krijojnë tablo të bukura, tërheqëse natyrore. Përmes luginës së Zagorisë rrjedh lumi i Zagories, i cili derdhet në Vjosë, por si rrjedhojë e gjatësisë së tij ai në “fjalorin” terminologjik gjeografik konsiderohet “përroi” i Zagories . Nga të dy anët e tij, sidomos në krahun e djathtë, dalin një sërë burimesh karstike. Krahina e Zagorisë ka bukuri të rralla dhe është tërheqëse, jo vetëm për biodiversitetin, por edhe për vlerat e peizazhit, historisë dhe kulturës së saj. Është një territor tepër i larmishëm me natyrë karakteristike me magjinë dhe potencialin e saj tërheqës që nga pjesët më të larta të malit të Dhëmbelit dhe malit të Çajupit me mbi 2000m lartësi, që hijeshojnë kurorën e zonës dhe deri në ultësirat e freskëta të lumit të Zagories, në derdhjen e tij në lumin e Vjosës.
-Kënga polifonike në krahinën e Zagorisë është e pranishme në çdo vatër familjare. Madje ju si krahinë në çdo korrik organizoni dhe një minifestival me këngë polifonike. Si titullohet festivali Zagorisë dhe kur është mbajtur për herë të parë? Sa grupe ishin?
-Krahina e Zagorisë nuk und të identifikohet pa këgën polifonike. Për këtë arsye ne si zonë kemi vite që organizojmë festivalin e titulluar : “Jeto Natyrën”. Ky Festival organizohet një herë në vit në Malin e Çajupit të Zagorisë. Zhvillohet si formë panairi ku shpalosen vlerat kulturore të zonës së Zagorisë dhe zonave përreth saj duke përfshirë këtu ( Kulinarinë, veshjet, traditën, këngët dhe vallet) Festivali i parë është zhvilluar në qershor të 2021, kështu është vazhduar deri më sot në 2022, 2023, 2024 dhe këtë vit do e bëjmë në korrik të vitit 2025.
Kujt i lindi ideja për Festivalin dhe cila është logoja?
Ideatori i këtij panairi të madh është Shoqata për Zhvillim e Zagorisë me Kryetar Andon Pango. Ai është ideuesi dhe frymëzuesi i këtij aseti kulturor që ka marër udhën e përvitshme me qëllim që zona e Zagories të mos mbetet në harresë si nga shteti ashtu dhe nga pushteti vendor e qëndror. Zagoria ka potenciale të mëdha, që duhen shfrytëzuar qofshin këto pasuri natyrore apo shpirtërore. Emigrimi i shumicës të popullsisë si gjithë shqiptarët që ikën pas viteve 90 Zagorinë e rënoi në çdo aspekt. Kjo gjë e zgjoi Andon Pangon si një nga bijtë e saj më të denjë ku mësimet e Andon Zakos së madh i pëshpëritën tek veshi duke e rindezur edhe njëherë atë flakë kandili që malet e Dhëmbelit dhe Rrapavicës mbajnë brënda gjirit të tyre. Zagoria një krahinë e lashtë me kisha, ura, kalldrëme e kala ku kryqëzohen udhët e lashtësisë ka qënë dhe një faktor shumë i zjarrtë në çështjet kombëtare që me Pavarësinë ku Sheperioti Aristidh RUCI, delegat i Tepelenës (Zagoria bënte pjesë në kazanë e Tepelenës firmosi pavarësinë e deri tek Rilindasi i zgjimit kombëtar Andon Zako Çajupi, Dijetari i gramatikës së gjuhës Shqipe Ilia Dilo Sheperi etj. Ky festival mbështetet edhe nga Bashkia e Libohovës ku Zagoria bën pjesë edhe ajo jep një fond të posaçëm duke luajtur rolin e saj në këtë organizim. Pjesën artistike të festivalit Andon Pango që në fillimet e tij ma delegoi mua që jam nip nga Zagoria dhe merrem me këngën Polifonike dhe punoj në Qëndrën Kulturore të Bashkisë të Tiranës. Aktualisht drejtoj grupin “Nektari i Polifonisë”. Dua të theksoj se që në djep jam mëkuar nga gjyshet e mia me melodinë e Zagories me melodinë e asaj lugine dhe ndaj ndihem tepër i vlerësuar dhe i respektuar që mirem me organizmin dhe njoftimet përvit të më shumë se dhjetë grupeve që i veshin Çajupit fustanellën. Këto grupe financohen nga Andon Pango.
–Mund të na informoni për disa nga grupet që marrin pjesë në këtë Festival kaq shumë shprehës?
Pjesmarrës kanë qënë: Grupi i Zagorisë, Grupi i Lunxhërisë, Grupi i Cfakës Gjirokastër, Grupi i Zonjave të Dropullit të Sipërm, Grupi i Libohovës, Grupi Antea, Grupi i Djemve të Delvinës, Grupi i Sarandës, Grupi i Zhulatit, Grupi i Himarës, Grupi i Pilurit, Grupi Jehona Labe, dhe Nektari i Polifonisë.
box
Grupi Polifonik “Nektari i Polifonisë”
Ky grup polifonik është formuar në Dhjetor të 2021. Kanë rreth 20 këngë në repertor. Në këtë grup shumë interesant me të rinj janë Alvaro Çenko, Rudian Zia, Rubin Ceka, Juliano Zholi, Deivis Myslymi, Donald Çani, Igli Frëngu, Joan Duka, Kimeld Çenko, Alban Çenko, Leonel Xhelili. Kurse emrat që kanë spikatur në këngën Zagorite ka qënë Tefta Duda me “Këngën e kurbetit” që bëri fame. Në atë kohë e më vonë janë disa këngëtare të tjera “Grupi i Vajzave të shkollës së mesme bujqësore Nivan, grupi i Grave të Sheperit, grupi i Zhejit e Lliarit, gratë e Zhejit kanë qenë në Festivalin e Parë të Gjirokastrës.