Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar me shqetësim pas 45 dështimeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke paralajmëruar se kriza politike po dëmton rëndë ekonominë e vendit. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se vendi nuk po humb vetëm kohë, por edhe besimin e investitorëve, zhvillimin ekonomik dhe shpresën e gjeneratave të reja. Ai theksoi se bizneset dhe qytetarët po e paguajnë faturën e kësaj papërgjegjshmërie politike. Sipas Shahinit, po bllokohen ligje jetike për klimën e biznesit, po vonohen investimet publike dhe po dëmtohet imazhi i Kosovës në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Ai kërkoi që institucionet të konstituohen menjëherë dhe politika të lërë anash kalkulimet partiake. “Kosova ka humbur mjaft. Tani duhet të zgjohet dhe të ecë përpara me institucione funksionale dhe ekonomi të gjallë”, deklaroi Shahini.
