Gjeneral, Kudusi Lama, ka reaguar ashpër ndaj funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si një “gjykatë paralele serbe për Kosovën”. Në një analizë të publikuar sot, Lama thotë se edhe pse kjo gjykatë është formuar nga Parlamenti i Kosovës, ajo funksionon për interesa të Serbisë dhe nën diktatin e saj. Ai e akuzon Bashkimin Evropian se ka mashtruar Kosovën gjatë themelimit të kësaj gjykate, duke krijuar një institucion që – sipas tij – ndëshkon luftëtarët e UÇK-së me dokumente dhe dëshmitarë të Serbisë. “Evropa e ka ditur që në fillim se çfarë po bënte. Shqiptarët e votuan me bindjen se nuk i kanë borxh askujt, por tash është e qartë se kemi të bëjmë me një kurth për të dënuar çlirimtarët,” ka shkruar Lama. Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës që të organizojnë një referendum gjithëpopullor për të shpallur publikisht se kjo gjykatë nuk është përfaqësuese e vullnetit të popullit të Kosovës. “Gjykata Speciale nuk i jep llogari institucioneve të Kosovës, por merr instruksione nga Beogradi. Prandaj duhet të quhet ashtu siç është – një gjykatë paralele serbe për Kosovën,” përfundon gjenerali Lama.
