Kryetari i Komunës së Drenasit dhe njëri prej themeluesve të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë dhe paralajmëron se po afrohet votimi i fshehtë për kandidaturën e tij për kryetar komune në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Lladrovci shpreh shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet kandidatura e tij brenda Kryesisë së PDK-së, duke theksuar se ky proces është një sfidë e re që nuk është hasur më parë në degën e Drenasit. Ai akuzon se legjitimiteti i tij si kryetar i degës kontestohet nga ata që u larguan nga PDK dhe krijuan subjekte të tjera politike, duke punuar kundër interesave të partisë dhe duke dëmtuar imazhin dhe votën e saj. Lladrovci thekson se ai është i gatshëm për garë dhe nuk do të lejojë që presionet dhe ndikimet e brendshme ta largojnë nga partia për të cilën ka dhënë kontribut të madh që nga themelimi i saj në vitet ‘80. Ai kujton sukseset e tij në qeverisjen lokale, që sipas tij janë të njohura si nga faktorët vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë, duke i atribuar këto rezultate punës së kabinetit dhe qytetarëve të Drenasit. Në fund të reagimit, Lladrovci përsërit me bindje:
“Dje, sot, nesër, PDK. Nuk mund të më largojë nga PDK dhe vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes!”
