Eman Rrahmani: Si opozitar do ta votoja Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit

Ish-deputeti Eman Rrahmani ka komentuar zhvillimet politike lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke deklaruar se po të ishte pjesë e legjislaturës aktuale si opozitar, do ta kishte votuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. “Nëse do të isha pjesë e legjislaturës si opozitar, do ta votoja Haxhiun sepse ajo do të ishte zgjidhja më e mirë për opozitarizëm në Kuvend. Sjellja e saj, përplasjet që ka pasur dhe mënyra e komunikimit e bëjnë atë shembullin më të qartë të asaj çfarë nuk duhet të jetë një udhëheqëse parlamentare,” tha Rrahmani. Ai kujtoi se gjatë mandatit kishte pasur përplasje të shumta me Haxhiun, të cilat sipas tij kanë ndikuar negativisht edhe në punën legjislative, përfshirë edhe pengimin e kalimit të ligjeve të rëndësishme si Kodi Civil. “Në aspektin strategjik, Haxhiu do të ishte pasqyrë e mirë për të treguar që VV-ja nuk është e denjë për ta udhëhequr vendin siç duhet,” theksoi Rrahmani. Megjithatë, ai sqaroi se po të ishte pjesë e Vetëvendosjes, nuk do ta kishte votuar Haxhiun. “Edhe nëse do të isha në VV, nuk do ta votoja Haxhiun sepse kjo do të dëmtonte të ardhmen e partisë. Ajo nuk është personi i duhur për të qenë kryetare e Kuvendit,” përfundoi Rrahmani.

Kontrolloni gjithashtu

Dështoi edhe përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit, seanca shtyhet për sonte në ora 22:00

As përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur sukses. Kryesuesi …