Hetuesja e njohur holandeze dhe ish-pjesëtare e ekipit të Tribunalit të Hagës për gjykimin e Sllobodan Millosheviqit, Neveka Tromp, ka kritikuar ashpër zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë një proteste të mbajtur në Prishtinë kundër Dhomave të Specializuara. Në fjalën e saj, Tromp theksoi se ata që sot po gjykohen në Hagë ishin vetë ndër të parët që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara, duke besuar në drejtësi dhe ndershmëri. “Ata që sot po akuzohen, ishin vetë ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara, sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri,” deklaroi ajo. Tromp kritikoi ashpër zbatimin selektiv të drejtësisë, duke e cilësuar këtë si një rrezik serioz për vetë thelbin e drejtësisë ndërkombëtare. “Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, ajo rrezikon të kthehet në padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë për të zbuluar të vërtetën, por janë gjykime të inskenuara,” shtoi ajo. Duke vënë në dukje se të akuzuarit janë mbajtur tashmë për pesë vjet në paraburgim pa një proces të drejtë e të përfunduar, Tromp tha se besimi i tyre në sistemin e drejtësisë është thyer. “Pesë vjet më vonë, ata ende ndodhen në paraburgim, pa një gjykim të drejtë. Por mos harroni – ata shkuan në Hagë sepse besuan në drejtësinë e kauzës së tyre. Lufta e tyre ishte e drejtë, një luftë e lejuar,” theksoi ajo. Në përfundim, Tromp kujtoi se ligjet ndërkombëtare që rregullojnë konfliktet janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët dhe jo për t’i ndëshkuar ata.“Një gjykatë që harron këtë parim, rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj,” përfundoi Tromp.
