Aleanca Kosovare e Bizneseve dënon ashpër pasojat e rënda ekonomike që ka shkaktuar bllokimi institucional dhe shkelja e Kushtetutës nga partia më e madhe në vend, e cila për gjashtë muaj ka propozuar vazhdimisht të njëjtin kandidat për kryetar, në kundërshtim me ligjin themeltar. Sipas AKB-së, kjo krizë politike ka paralizuar vendimmarrjen shtetërore, duke ndikuar negativisht në funksionimin e institucioneve dhe duke shkaktuar humbje të mëdha në sektorë kyç si prodhimi, eksporti, investimet e huaja dhe projektet strategjike. “Kjo pasiguri politike dhe juridike ka shkaktuar humbje direkte prej rreth 300 milionë eurosh, ulje deri në 25% të kapaciteteve prodhuese, pezullim të kontratave ndërkombëtare dhe largim të investitorëve të huaj. Këto humbje përkthehen në mijëra vende pune të humbura dhe bizneset që rrezikojnë falimentimin,” tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së. Ai shtoi se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese vërteton qartë se e drejta ka qenë e qartë që nga fillimi, por ky konstatim vjen shumë vonë për ekonominë e vendit. AKB i bën thirrje institucioneve dhe subjekteve politike që të respektojnë Kushtetutën dhe të garantojnë stabilitet institucional, duke theksuar se ekonomia nuk mund të mbahet peng i pazareve politike, pasi çdo ditë bllokimi përbën një goditje fatale për Kosovën.
