Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se prej më shumë se 20 vitesh ka vepruar kundër shtetit të Kosovës. Musliu ka thënë se që nga dita e daljes nga burgu, Kurti ka kanalizuar energjinë e tij jo për forcimin e shtetësisë, por për “minimin sistematik” të saj, duke e sfiduar, delegjitimuar dhe në fund nënshtruar shtetin. Sipas saj, Kurti e sheh shtetin si pronë personale dhe demokracinë si pengesë për agjendat e tij politike, nuk duron debat e opozitë, dhe nuk njeh kufij kur bëhet fjalë për pushtetin. “Kosova nuk mund të mbetet peng i një përçarësi ekstremist që nuk njeh as komb, as Zot. Tani është koha për t’u indinjuar dhe për t’u ballafaquar. Heshtja nuk është më opsion,” ka shkruar Musliu, duke shtuar se kjo duhet të bëhet për liri e demokraci dhe kundër diktaturës.
