Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 13 gusht 2025 përfundon afati për aplikimin online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor. Afati për aplikim është hapur më 26 qershor, ndërsa për të lehtësuar procesin, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike https://apliko.kqz-ks.org, përmes së cilës subjektet politike mund të dorëzojnë aplikimin online.
Sipas njoftimit, procedura e aplikimit zhvillohet në dy hapa:
-
Hapi i parë – Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik, iniciativës qytetare ose kandidatit të pavarur plotëson të dhënat e kërkuara në platformën online. Partitë politike të regjistruara dhe koalicionet tashmë kanë pranuar të dhënat e qasjes dhe nuk duhet të ndjekin këtë hap.
-
Hapi i dytë – Pas dorëzimit të aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) e shqyrton dhe e miraton ose e refuzon kërkesën. Në rast miratimi, përfaqësuesit të autorizuar i dërgohen përmes e-mailit kredencialet për të vazhduar me paraqitjen e plotë të aplikimit në platformë.