Qytetarët e Kosovës kanë marrë 1.2 miliardë euro kredi në bankat komerciale vetëm gjatë periudhës janar–maj 2025, duke shënuar një rritje prej 200 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, totali i kredive aktive deri në fund të majit ka arritur në 6.3 miliardë euro, nga 5.2 miliardë euro në maj 2024 — një rritje vjetore prej 1.1 miliardë euro ose 20.9%. Edhe depozitat bankare kanë shënuar rritje. Në pesëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar 480.9 milionë euro depozita të reja, 133 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Totali i depozitave ka arritur në 6.9 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 14.1%. Sipas BQK-së, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në maj 2025 ishte 6.0%, me një rënie të lehtë nga 6.14% në maj 2024. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e konsideron këtë normë të lartë dhe u bën thirrje institucioneve, përfshirë ekzekutivin dhe BQK-në, që të punojnë për uljen e saj. Ai thekson se rritja e kredive për ekonomitë familjare nuk është shenjë pozitive, pasi tregon vështirësi në kthimin e huave ose nevojë për marrje kredish të reja dhe riprogramim të borxheve. Në anën tjetër, qytetarët e anketuar thonë se marrja e kredive shpesh është e detyruar për shkak të vështirësive financiare. “Kredia nuk është e vogël kurrë, veç zori,” shprehet njëri prej tyre.
