Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se brenda pak orëve, janë raportuar dhjetëra zjarre anekënd vendit. Kjo agjenci ka njoftuar se gjatë një periudhe të shkurtër prej gjashtë orësh, nga ora 14:00 deri në 20:00, janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri në të gjithë territorin e Kosovës. Prej tyre, 15 janë ende aktive, ndërsa 25 janë lokalizuar dhe kontrolluar. Gjendja më e rëndë është regjistruar në fshatin Dumnicë, në Komunën e Besjanës ku po bëhen përpjekje të mëdha për shuarjen e tij. Në këtë operacion janë angazhuar njësitë e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ndërkohë që është bërë edhe kërkesë për ndërhyrje ajrore nga KFOR-i për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Agjencia u bën apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.
