Bekim Kupina: Ftesën për gjyqtarin Radomir Laban e dërgoi Protokolli, jo presidentja Osmani

Këshilltari për Media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka pranuar se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban – ndaj të cilit presidentja ka bërë akuza të rënda – kishte marrë ftesë për të marrë pjesë në përvjetorin e 17-të të Pavarësisë së Kosovës, të mbajtur këtë vit. Kupina sqaroi se ftesa është dërguar nga Protokolli i Presidencës dhe jo nga vetë presidentja Osmani. “Presidentja as nuk përpilon e as nuk merret me lista protokollare. Do të ishte absurde të mendohej se ajo merret me lista e ftesa. Me protokoll merret Protokolli e jo Presidentja. Ne nuk e dimë se kush është në listë sepse Protokolli merret me këto çështje duke shfrytëzuar lista protokollare. Presidentja ka bërë deklaratë publike rreth z. Laban edhe në vitin 2024. Protokolli do të duhej ta merrte atë deklaratë publike parasysh gjatë përpilimit të listave të organizimeve të tilla”, tha Kupina. Ai shtoi se presidentja Osmani është siguruar që dosja e gjyqtarit Laban, nëpërmjet Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, t’i jetë dërguar Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë dhe Policisë. “Kjo ka qenë detyra e saj, e jo detyra e përpilimit të listave protokollare”, theksoi Kupina.

Kontrolloni gjithashtu

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet të martën për Kosovën – UNMIK pritet të kërkojë ulje tensionesh dhe rifillim të dialogut

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mbajë të martën takimin …