Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur sanksione ndaj gjyqtarit francez Nicolas Yann Guillou, i cili ka pasur një rol kyç në procedurat paraprake kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë. Sipas deklaratës zyrtare, Guillou është sanksionuar për shkak të përfshirjes së tij në lëshimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, lidhur me akuza për krime lufte. Kjo ka shkaktuar një reagim të ashpër nga administrata amerikane, e cila ka vendosur ta përfshijë Guillou-n në listën e zyrtarëve të ndëshkuar. Përveç tij, janë sanksionuar edhe tre zyrtarë të tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale – Kimberly Prost, Nazhat Shameem Khan dhe Mame Mandiaye Niang – në kuadër të presionit të vazhdueshëm të SHBA-ve ndaj ICC-së, për shkak të hetimeve që përfshijnë zyrtarë të lartë izraelitë. Ky zhvillim sjell vëmendje të re mbi figurën e Guillou, i cili për një kohë ka qenë i përfshirë në çështje të ndjeshme, përfshirë rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale në Hagë.
