leoni

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Një vit të mbarë shkollor në gjuhën shqipe!

Urojmë suksese të gjithë nxënësve të shkollave shqipe në Zvicër për vitin shkollor 2025/2026!

Në pothuajse tërë Zvicrën, mësimi plotësues në gjuhën shqipe tashmë ka filluar. Me krenari e me gojën plot, u themi të gjithë fëmijëve shqiptarë që, nën kujdesin dhe këshillat e prindërve të tyre, kanë nisur apo kanë vazhduar mësimet në gjuhën e bukur shqipe, se ata janë drita dhe shpresa jonë. Nuk ka gëzim më të madh sesa kur i shohim fëmijët shqiptarë, të lindur e rritur në mërgim, të drejtohen me dashuri drejt pikave shkollore, për ta mësuar e për ta ruajtur gjuhën e të parëve të tyre.

Janë me dhjetëra e qindra ata që ecin me krenari në gjurmët e prindërve të tyre, me dashurinë e madhe për gjuhën dhe kulturën kombëtare. Kjo na jep forcë dhe na e mban gjallë shpirtin: fëmijë me emra plot kuptim e histori – Kastriot, Shqipe, Vlera, Gëzim, Vlora, Saranda, Shkodran, Krutan, Berat, Vjosa, Buna, Valbona, Teuta e shumë të tjerë – rriten duke mbajtur të gjallë rrënjët e tyre shqiptare. Me duart e tyre të pastra e të bukura ata krijojnë shqiponjën dykrerëshe, simbolin e krenarisë sonë kombëtare.

Prandaj, fëmijë të dashur, mësoni gjuhën shqipe – gjuhën e të parëve tanë, gjuhën e shekujve, gjuhën që na jep shpirt kudo që jemi. Ajo është jo vetëm krenaria e kombit shqiptar, por edhe një pasuri që e njohin dhe e vlerësojnë studiuesit ndërkombëtarë për lashtësinë dhe bukurinë e saj.

Mësoni shkronjat e shqipes, ato shkronja me të cilat kanë shkruar prindërit dhe të parët tanë. Ky është obligim moral dhe kombëtar, një detyrë e shenjtë për ta ruajtur e për ta trashëguar gjuhën tonë të bukur ndër breza, në mesin e popujve të qytetëruar.

Suksese dhe një vit të mbarë shkollor!

 

L.A.P.Sh.”Naim Frashëri” – Zvicër

Dr. Vaxhid Sejdiu – bashkëkryetar

Kontrolloni gjithashtu

(Sabile Keçmezi Basha: “LETRAT PËR MARTINËN. Një biografi romanore për babin tim”, roman, 2024)

Prend Buzhala: BIOGRAFEMË ROMANORE EPISTOLARE PËR NJË PERSONAZH IDEALIST

(Sabile Keçmezi Basha: “LETRAT PËR MARTINËN. Një biografi romanore për babin tim”, roman, 2024) Sabile …