KFOR-i ka njoftuar se gjatë javëve të fundit ka dhënë ndihmë të konsiderueshme në shuarjen e zjarreve që përfshinë disa komuna të Kosovës, pas kërkesës së institucioneve vendore përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave. Sipas njoftimit, ndërhyrjet kanë përfshirë vëzhgime ajrore dhe aksione të drejtpërdrejta në terren, duke realizuar gjithsej 80 operacione ajrore për shuarjen e flakëve. Njësia amerikane Task Force Aviation, pjesë e Komandës Rajonale Lindore të KFOR-it, ka luajtur rol kryesor. Në deklaratë thuhet se KFOR mbetet e gatshme, brenda kapaciteteve të saj, të mbështesë institucionet vendore në parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente. “KFOR vazhdon ta zbatojë mandatin e saj për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme,” thuhet në njoftim. Forcat e KFOR-it theksuan se bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit, në kuadër të roleve të tyre përgjegjëse për sigurinë.
