leoni

Mbi 21 mijë qytetarë të Kosovës nga diaspora të regjistruar për votim me postë në zgjedhjet lokale

Zyrtarët e shërbimit votues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë hyrë në javën e fundit të shqyrtimit të aplikimeve të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar për votim me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Që nga data 23 korrik, dhjetëra zyrtarë kanë punuar çdo ditë të javës, nga ora 08:00 deri në mesnatë, për të shqyrtuar mijëra aplikime të paraqitura në platformën elektronike të KQZ-së. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri më 24 gusht janë pranuar gjithsej 26,480 aplikime, prej të cilave 21,291 janë aprovuar, ndërsa 5,186 janë refuzuar. Ai shtoi se shumica e aplikimeve janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumenteve që dëshmojnë adresën e aplikuesit jashtë Kosovës, ndërkohë që secili aplikues është njoftuar me arsyet e refuzimit dhe mundësinë e ri-aplikimit. Afati për regjistrim mbyllet këtë të premte, më 29 gusht. Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votuesve të regjistruar është dukshëm më i ulët se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, kur ishin regjistruar mbi 105 mijë votues nga diaspora. Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur ishin regjistruar rreth 15,500 votues, këtë vit është shënuar rritje. Vetëm shtetasit që regjistrohen për votim jashtë vendit do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre përmes postës, gjatë periudhës që nis më 17 shtator dhe përfundon më 11 tetor 2025.

Kontrolloni gjithashtu

Mitrovica e Veriut: Shfaqen fletushka me thirrje për vendosjen e flamujve serbë

Në Mitrovicën e Veriut, këtë mëngjes janë shpërndarë fletushka me mesazhe nacionaliste, përmes të cilave …